Përfundon me sukses raundi i parë në projektin Sfida Kreative

Projekti “Sfida Kreative” ndryshe i titulluar si projekti “Frymo”, filloi implementimin në muajin Nëntor duke përfshirë më shumë se 30 shkolla apo 40 ekipe pjesëmarrëse nga komuna të ndryshme të Kosovës.

Raundi i parë i kësaj gare teknologjike filloi me 15 Dhjetor për të përfunduar me 12 Shkurt ku nxënësit e klasave 10 dhe 11 patën mundësinë të hulumtojnë për çështje të ndryshme në lidhje me “Cilësinë e ajrit”, duke i realizuar hulumtimet e tyre në grup. Përveç hulumtimit, me pajisjet teknologjike të shpërndara nga KOSOVA MAKERS LEAGUE, të gjithë nxënësit realizuan projektet e tyre individuale duke përdorur Arduino MKR 1000 Kit dhe 37 Sensors in 1 Kit, kjo si fazë fillestare për t`u familjarizuar me pajisjet teknologjike, para se të fillojnë me ndërtimin e stacioneve për matjen e cilësisë së ajrit në shkollat e tyre.

Përmes zhvillimit të projekteve me pajisjet, nxënësit kanë pasur mundësinë të përfitojnë shkathësi teknike, të kuptojnë bazat e programimit dhe elektronikës, njohjen me sensorët dhe aktuatorët, të kuptojnë sinjalet digjitale dhe analoge dhe të zhvillojnë shkathtësitë e tyre buta si të menduarit kritik, zgjidhjen e problemeve dhe punën në ekipe.

134 nxënës nga 29 shkolla të mesme të Kosovës ishin pjesëmarrëse të raundit të parë të projektit. Pas vlerësimit të punës së tyre, tri ekipet të cilat grumbulluan më së shumti pikë duke plotësuar të gjitha kriteret e detyrave dhe të cilat treguan nivel të lartë të kreativitetit me projektet e tyre ishin: Ekipi nga “Young Innovators” – nga komuna e Shtimes; ekipi nga shkolla “Skënder Luarasi” nga komuna e Suharekës; dhe shkolla “Gjin Gazulli” nga komuna e Prishtinës.