Informata të rëndësishme rreth raundit të katërt / final të Garës së Robotikes

Marrë parasysh situatën nga COVID-19 (Coronavirus), masave mbrojtëse të përcaktuara për parandalimin e shpërndarjes së virusit, skenareve që po zhvillohen në shkolla, Gara e Robotikës edhe këtë vit akademik nuk ka mundësi të realizohet në formatin e saj origjinal. 

Në kuadër të KML OPEN për sezonën 2020/21 janë planifikuar të organizohen pesë (5) raunde, mirëpo si rezultat i rrethanave të tanishme në Kosovë dhe në tërë botën, raundi i pestë (5) apo finalja e madhe e cila ishte e planifikuar të realizohet si raund fizik ku do të mund të mblidheshin të gjitha ekipet në një vend dhe të garonin fizikisht, është anuluar.

Kosova Makers League ka vendosur që raundi i katërt të jetë njëkohësisht edhe raundi final i cili do të determinojë edhe fituesit për këtë vit që do të jenë dy ekipe fituese me më së shumëti pikë, një (1) ekip nga cikli (1-5) dhe tjetri nga cikli (6-9).

Pra, raundi katër (4) / Final i KML Open i cili do të publikohet përgjatë muajit Prill, do të përcaktojë fituesit e Garës së Robotikës.

Siç e dini, shpërblim për ekipet fituese është pjesëmarrja e ekipeve në Garën Regjionale të Robotikës që zakonisht mbahet në Kroaci, dhe pastaj po që se mblidhen pikët e mjaftueshme, pjesëmarrja në Garat Botërore të Robotikës që mbahen në Kinë. 

Për shkak të kufizimeve të lëvizjes në vende jashtë Kosovës dhe rrezikut shëndetësor për pjesëmarrësit, ne nuk mund të marrim pjesë në garat e përmendura më lartë. Mirëpo, për këtë vit në kuadër të Garës së Robotikës, Kosova Makers League do të shpërblejë dy ekipet fituese me nga dy (2) llaptop për secilin ekip përkatës nga cikli (1-5) dhe (6-9) më qëllimin që llaptopët të përdorën nga fëmijët e shkollës për realizimin e aktiviteteve të ndryshme edukative.