ÇKA ËSHTË GARA E ROBOTIKËS – KOSOVA MAKERS LEAGUE OPEN

Kosova Makers League Open është gara më e madhe e robotikës për shkollat fillore dhe institucionet tjera edukative në Kosovë, e cila zhvillohet për ciklet e klasave (1-5) dhe (6-9), pra për fëmijët e grupmoshës (6-15 vjeç) dhe organizohet nga Fondacioni BONEVET.

Të gjitha shkollat fillore publike dhe private dhe të gjitha institucionet tjera edukative nga e gjithë Kosova mund të bëhen pjesë e garës duke i krijuar ekipet e tyre prej pesë (5) anëtarëve (1 Mentor/e dhe 4 nxënës/e). Mentorë në KML mund të jenë mësimdhënësit e shkollave, prindërit ose vullnetarë të jashtëm të cilët shprehin gatishmëri për të punuar me fëmijë dhe janë të autorizuar nga institucione përkatëse. Duke marrë pjesë në garë, KML pajisë secilin anëtarë (pjesëmarrës të ekipeve) me nga një robot edukativ mBot, që ofron hyrje shumë të thjeshtë në botën e robotikës, por mundëson edhe përdorim më të avancuar.

Nga fëmijët e ekipeve pjesëmarrëse në garë kërkohet të ndërtojnë robotët e tyre dhe gjithashtu t’i programojnë ata. Gjuha programuese që do të përdoret nga ta është ‘Scratch’, gjuhë programimi vizuale e krijuar kryesisht për fëmijët në mënyrë që ata ta përdorin për të krijuar storie interaktive, animacione dhe lojëra të ndryshme. Kjo gjuhë është e implementuar në aplikacionin mBlock, aplikacion ky i cili do të përdoret për vënien në lëvizje të robotëve.
 

Gjatë gjithë garës, qëllimi kryesor i KML është që të krijohet një mjedsi pozitiv dhe i shëndetshëm në mënyrë që fëmijët të rrisin interesimin e tyre në fushat e STEM, të zhvillojnë shkathtësitë e buta, të menduarit kritik dhe të fitojnë aftësi për zgjidhjen e problemeve.

 

KUSH MUND TË MARRË PJESË?

 

  • Gara e Robotikës “Kosova Makers League” organizohet nga Fondacioni BONEVET dhe pjesë e kësaj gare mund të bëhen institucionet edukative-arsimore (formale dhe joformale) duke u regjistruar online përmes faqes zyrtare www.kosovamaker.net 
  • Pjesëmarrja në Garën e Robotikës është e lejuar për shkollat publike, private dhe qendrat ose institucione të tjera që mbledhin dhe edukojnë fëmijët e grupëmoshave të klasave 1 (një) deri 9 (nëntë).
  • Po ashtu, mundësi të pjesëmarrjes në garë kanë edhe institucionet tjera edukative të cilat posedojnë pajisjet e nevojshme për realizimin e garës dhe shprehin interes të ju bashkohen garës.

 

  • Kriteri i pjesëmarrjes në garë:

 

  • Institucionet edukative me 0 – 500 nxënës mund të përfshijnë vetëm një (1) ekip në garë;
  • Institucionet edukative me 500 – 1000 nxënës mund të përfshijnë deri në dy (2) ekipe në garë;
  • Institucionet edukative me 1000 – 1500 nxënës mund të përfshijnë deri në tre (3) ekipe në garë;
  • Institucionet edukative me 1500+ nxënës mund të përfshijnë deri në katër (4) ekipe në garë.
  • Në Garën e Robotikës KML Open, nxënësit e shkollave fillore ndahen në dy kategori. 
  • Kategoria e parë përfshinë fëmijët që ndjekin klasat 1 (një) deri në 5 (pesë); dhe 
  • Kategoria e dytë përfshinë fëmijët që ndjekin klasat 6 (gjashtë) deri në 9 (nëntë). 

 

  • Një institucioni edukativ, të cilit i lejohet të aplikojë me më shumë se një ekip, ka të drejtën që fëmijët përbërës të ekipeve të jenë të së njejtës kategori (1-5) ose (6-9).)
  • Preferohet që ekipet të kenë përfaqësim të bazuar në barazi gjinore, pra në një ekip të jenë dy (2) vajza dhe dy (2) djem.
  • Personi i autorizuar nga institucioni edukativ (Mentori/ja) ka të drejtën të mbikqyrë më së shumti dy (2) ekipe të një institucioni nëse shkolla ka më shumë se 500 nxënës.

 

  • Çdo person i autorizuar nga institucioni edukativ (Mentori/ja) duhet të regjistrohet në grupin e mentorëve në rrjetin social Facebook.

 

  • Organizuesi mbanë të drejtën për diskualifikim të ekipeve pjesëmarrëse në garë, në rast të mashtrimeve, sjelljeve të këqija, manipulimeve të sistemit online të rezultateve dhe çdo gjë tjetër që mund të kontribuojë në dëmtimin e ligës.

 

SI DO TË ORGANIZOHET GARA?

 

  • Gara e Robotikës ka në total 5 (pesë) raunde të cilat mbahen gjatë gjithë vitit shkollor 2020-2021.
  • Katër (4) raundet e para do të zhvillohen online dhe sipas formatit origjinal të garës, raundi finail/ i pestë (5) parashihet të jetë fizik.


*Megjithatë si rezultat i gjendjes pandemike në vend, Organizuesi do të vlerësojë gjendjen aktuale në atë kohë dhe do të vendosë për organizimin e raundit final duke respektuar të gjitha masat e vendosura nga institucionet përkatëse për shëndetin publik në vend.

  • Çdo raund do të ketë sfidën me instruksionet përkatëse dhe tabelën e vlerësimit.

  • Forma e vlerësimit mund të ndryshojnë varësisht nga raundet.
  • Vlerësimi i ekipeve do të bëhet nga vetë mentorët e ekipeve përkatëse (për raundet online), kurse për raundin final (nëse do të organizohet në formatin fizik), vlerësimin do e bëjë ekipi vlerësues i KML.

  • Pikët mblidhen nga secili raund dhe ekipet fituese të garës së robotikës shpallen në bazë të pikëve të mbledhura përgjatë pesë (5) raundeve.

  • Rezultatet e grumbulluara nga ekipet në një raund përkatës nuk do të jenë determinuese për mundësinë e vazhdimimt të pjesëmarrjes në ranudet e tjera të garës. 
  • Pa marrë parasysh rezultatet përfundimtare të një raundi përkates, secili ekip ka të drejtën të marrë pjesë në të pesë (5) raundet e garës.
  • Nëse një ekip merr pjesë në një raund por nuk ka mundësi të marrë pjesë në raundin pasues, ai ekip ka të drejtë të vazhdojë pjesëmarrjen në raundet pasardhëse.

  • Pjesëmarrësit do të marrin detyrat (sfidat me instruksione dhe tabelën e vlerësimit) për raundet e organizuara me anë të faqës zyrtare www.kosovamakers.net.

SI DO TË ZHVILLOHET KOMUNIKIMI?

 

  • Emrat e të gjitha shkollave ​​dhe institucioneve pjesëmarrëse do të shpallen në faqen zyrtare www.kosovamakers.net 
  • Të gjitha informatat në lidhje me garën, rregulloret, instruksionet e sfidave për Pjesëmarrësit dhe Mentorët e raundeve të garës do të ngarkohen në sistemin online “NEURON”.
  • Sistemi online “NEURON” është sistemi i cili do të përdoret përgjatë gjithë garës duke ju mundësuar mentorëve të regjistrojnë të dhënat e institucionit që përfaqësojnë, të dhënat e tyre si mentorë, të dhënat e nxënësve pjesëmarrës në ekipe, të shkarkojnë dokumentet e nevojshme për secilin raund dhe të ngarkojnë rezultatet e ekipeve të tyre për çdo raund.

 

  • Rezultatet e ekipeve pas ngarkimit të tyre në sistemin “NEURON” do të kontrollohen për korrektësi nga ekipi vlerësues i KML dhe rezultatet përfundimatare të secilit raund do të publikohen në faqën zyrtare www.kosovamakers.net 

 

  • Ekipet pjesëmarrëse të garës janë të inkurajuara të postojnë rreth KML-së në rrjetet e tyre sociale lidhur me pjesëmarrjen, zhvillimet e rëndësishme gjatë raundeve dhe promovimin e pajisjeve teknologjike të ndara nga KML/ BONEVET.
  • Në rast të ndonjë ndryshimi të pjesëmarrjes në ekipet përfaqësuese nga shkolla (qoftë ndryshimi i Mentorit/es, fëmijëve pjesëmarrës), Pjesëmarrësi duhet të informojë Organizuesin me kohë.

 

SHPËRBLIMET NË KUADËR TË GARËS SË ROBOTIKËS

  • Dy ekipet fituese të Garës së Robotikës – KOSOVA MAKERS LEAGUE OPEN do të fitojnë të drejtën për të përfaqësuar Kosovën në Garat Regjionale të Robotikës – MakeX OPEN në Kroaci. 
  • Ekipi i cili grumbullon më shumë pikë në garat në Kroaci do të vazhdojë pjesëmarrjen në Garat Botërore të Robotikës në Guangzhou të Kinës.

* Shënim: Si rezultat i gjendjes pandemike në mbarë botën, Organizuesi do të vlerësojë gjendjen aktuale në atë kohë dhe do të vendosë për pjesëmarrjen e ekipeve fituese nga Kosova në garat internacionale. Po ashtu, organizuesit e këtyre eventeve në Kroaci dhe Kinë do të njoftojnë rreth organizimit të garave dhe informatave të nevojshme me kohë.

Përkitazi me situatën aktuale të shëndetit publik në vend dhe mbarë botën, KOSOVA MAKERS LEAGUE do të sigurojë shpërblimet për ekipet fituese të Garës së Robotikës për vitin akademik shkollor 2020-21.