KOSOVA MAKERS LEAGUE
Çka është KOSOVA MAKERS LEAGUE?
Kosova Makers League është gara më e madhe e robotikës në Kosovë. KML do të organizohet dhe udhëhiqet nga Fondacioni BONEVET.
Qëllimi i garës është që të krijojmë një atmosferë pozitive dhe të shëndetshme, ku fëmijët dhe të rinjët do të garojnë duke e zgjidhur një “mision të ndërlikuar” me ndihmën e robotit.
Synimi jonë kryesor është që t’i bëjmë fëmijët më entuziast për shkencë dhe teknologji, dhe gjithashtu t’i inkurajojmë fëmijët të punojnë në grup, kështu duke e zhvilluar të menduarit kritik, dhe zgjidhjën e problemeve në mënyrë kreative.
Platforma në të cilën zhvillohet liga është roboti edukativ mBot (Verzioni bluetooth) që ofron hyrje shumë të thjeshtë në botën e robotikës, por mundëson edhe përdorim më të avansuar.
Gara është e ndarë në dy kategori: klasët 1-5 dhe 5-9 të shkollës fillore.
Garat do të mbahen çdo dy muaj, dhe disiplina e parë do të jetë përcjellja (ndjekja) e vijës të zezë, gjetja e mikut të humbur dhe shmangia e pengesave.
Si të aplikoni?
Të gjitha shkollat publike dhe private në Kosovë, si dhe qendrat që punojnë me fëmijë dhe të rinjë mund të aplikojnë. Mësuesit/arsimtarët/përfaqësuesit përgjegjës për ekipin janë gjithashtu përgjegjës për pajisjet e huazuara për qëllime të garës. Shkollat apo institucionet tjera private për të cilat shkollimi është me pagesë, duhet që pajisjet e nevojshme për pjesëmarrje në ligë (robotët mBot) t’i vetë financojnë.
Si do i merrni mBot-ët tuaj?
Duke marrë pjesë në Ligë, secili pjesëmarrës pajiset me mBot-ët e tij me të cilët ekipet kanë mundësinë të luajnë gjatë tërë sezonës garuese. Sezona garuese ka gjithësej 5 raunde. Ndërsa, të gjitha ekipet që marrin pjesë në të paktën 4 raunde të ligës, do të fitojnë robotët në pronësi të përhershme. Shpërndarja e mBot-ëve do të bëhet para fillimit të Ligës në qendrat BONEVET Prishtina dhe BONEVET Gjakova, gjatë së cilës do të organizohen edhe punëtoritë fillestare për mësimdhënësit dhe drejtuesit e grupeve.
Si është e organizuar gara?
Garat do të mbahen në BONEVET Prishtina dhe BONEVET Gjakova, varësisht nga regjioni i shkollës përkatëse. Qëllimi është që të gjithë pjesëmarrësit nga e tërë Kosova të mund të marrin pjesë në një pasdite gjatë ditëve të punës.
Ku do të publikohen rezultatet?
Rezultatet do të publikohen në web faqen e “KOSOVA MAKERS LEAGUE” www.kosovamakers.net.
Si të përcjellni zhvillimet dhe të rejat në lidhje me Ligën e Kosova Makers?
Për të gjitha lajmet rreth ligës dhe pjesëmarrësve të rinjë në ligë na përcjellni nëpërmjet web faqës tonë www.kosovamakers.net, dhe gjithashtu përmes faqës tonë në Facebook dhe Instagram Kosova Makers League.